Mësuesja që refuzoi pjesëmarrjen në protestën e SBASHK-ut, del të jetë aktiviste e VV-së


Elena Stublla, mësuese në shkollën fillore të Prishtinës “Dardania”, refuzoi t’i bashkohet protestës së Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të premten (SBASHK), e cila u mbajtë dje gjatë ditës në kryeqytet.
Stublla, e cila nuk e bojkotoi mësimin, ishte e vetmja mësimdhënëse në shkollën “Dardania” që ngriti akuza të rëndësishme ndaj kryesisë së SBASHK-ut.
Ajo tha se protestat e grevat janë politikisht të organizuara, duke shtuar se ato asnjëherë nuk kanë mbrojtur mësimdhënësit.
Madje, ajo pati cilësime goxha të ashpra për Rrahman Jasharin, kryetarin e SBASHK-ut, të cilin e quajti “injorant”.
“Historikisht, protestat dhe grevat janë politikisht të organizuara dhe gjithmonë në dëm të mësimdhënësve. Asnjëherë nuk i ka mbrojtur mësimdhënësit. Kujtojmë që në kohën kur ishte kryeministër Ramush Haradinaj, Rrahman Jasharaj bëri një marrëveshje ku u injoruan mësuesit dhe përfituan arsimtarët. Nuk mund ta përkrah dikë kur turmën e udhëheqin injorantët e asaj kohe”, ka thënë Stublla në “60 Minuta” të KTV-së.
Stublla tha se nëse protestat do të organizoheshin nga dikush tjetër e jo nga SBASHK-u, pjesëmarrja do të ishte edhe më masive.
“Nëse do të ishte dikush tjetër në krye të SBASHK-ut, protesta do të ishte edhe më masive. Nuk duhet të lejojmë që injorantët dhe analfabetët të merren me problemet tona”, u shpreh Stublla në “60 Minuta”.
Por, këto kundërshtime, duket se nuk kanë fortë të bëjnë me pakënaqësi organizative në lidhje me SBASHK-un. Kritikat e forta në adresë të Jasharajt e SBASHK-ut, ashtu si mospjesëmarrja në protestë, duket se janë të motivuara politikisht.
Siç mëson Nacionale, Stublla është politikisht e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila udhëheq me Qeverinë e Kosovës. E kjo e fundit nuk ka marrëdhënie të mira me SBASHK-un e posaçërisht me Jasharajn, që u rizgjodh së fundmi edhe për një mandat si kryesindikalist i mësimdhënësve.