TË FUNDIT:

    Kosova me shumë vende të mrekullueshme turistike, por i mungon promovimi

    ScanerPressSeptember 27, 2018

    Në kuadër të Ditës Botërore të Turizmit, ushtruesja e detyrës së ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëresha Krasniqi, ka vizituar Kullën e Zenel Beut në Pejë, si pjesë e aktiviteteve të organizuara për promovimin e turizmit në Kosovë.

    Ajo me këtë rast tha se Kosova ka vende të shumta turistike, por sipas saj, po i mungon atraksioni turistik.

    Sipas saj, MTI në kuadër të Departamentit të Turizmit, do të punojnë në këtë drejtim, pasi turizmi do të ndihmojë në zhvillimin e Kosovës, derisa ka përkujtuar se së fundmi është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Japoninë.

    “Turizmi me të vërtetë, si fushë ka marrë një hov të zhvillimit që Kosovës i ka munguar, i ka munguar si orientim, por jo edhe si vende turistike… Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka qasje të veçantë në këtë sferë dhe këtu dëshmon përkushtimi dhe puna që ne po e bëjmë në vazhdimësi. Ajo çfarë kemi bërë këtë vit si Ministri e Tregtisë, është që për herë të parë është themeluar Departamenti i Turizmit , i cili me të vërtetë po e bën një punë të jashtëzakonshme”, ka thënë Krasniqi.

    Në emër të komunës së Pejës, foli Xhenet Syla, drejtoreshë e Turizmit në këtë komunë, e cila tha se Peja është vend lider në Kosovë për zhvillimin e turizmit. Ajo po ashtu u bëri thirrje të pranishmëve që ta vizitojnë Pejën.

    “Jemi liderë absolut në zhvillimin e turizmit aventurier dhe jemi në përpjekje e sipër për promovimin e zhvillimit dhe promovimit të turizmit kulturor dhe të trashëgimisë kulturore, meqenëse posedojmë shumë kulte fetare dhe elemente të tjera për çfarë kemi çfarë të flasim dhe mysafirët gjithandej kanë çfarë të eksplorojnë”, ka thënë Syla.

    Ndërsa në emër të shoqatave turistike, foli Aragonit Bojku, kryetar i Shoqatës së Speologëve “Aragonit”, i cili tha se panairet tha se janë metoda kryesore e promovimit të turizmit nëpër botë.

    “Jo rastësisht apo me thanë jemi fatlumë që i kemi këto, po me punën dhe me mundin ditëm t’i shfrytëzojmë, edhe i kanalizuam në një drejtim i cili tash po shihet që ka filluar për të lulëzuar, ka filluar të jetë pikë mbështetëse e ekonomisë së Kosovës, edhe ashtu jo shumë të zhvilluar”, ka thënë Bojku.

    Ndryshe, Dita Botërore e Turizmit mbahet çdo vit më 27 shtator. Qëllimi i shënimit të kësaj dite është për të nxitur ndërgjegjësimin në mesin e komunitetit ndërkombëtar për rëndësinë e turizmit dhe vlerat e tij sociale, kulturore, politike dhe ekonomike.  Për të shënuar ditën botërore të Turizmit është vendosur në seancën e tretë të Kuvendit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit Torremolinos, Spanjë, shtator 1979, duke filluar nga viti 1980.  Në Kosovë për herë të parë Dita Botërore e Turizmit u shënua në Prishtinë, në vitin 2011 nga Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës, e cila organizoi një takim referues.

    /periskopi.com


    Rreth Nesh

    Të gjitha materialet e portalit janë të mbrojtura me të drejtat autoriale. Ato mund të kopjohen, modifikohen, dhe ripublikohen vetëm duke iu referuar burimit ScanerPress.com. Të drejtat autoriale janë të rezervuara, sipas dispozitave ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës.

    E-mail: [email protected]


    NA KONTAKTONI!

    NA TELEFONONI TEL/MOB: 044 555 555