TË FUNDIT:

    Familja kërkon drejtësi për vrasjen e mistershme të Abedin Bytyqit

    ScanerPressSeptember 19, 20200
    1

    “Ani e kanë vra e kanë vra, po pse me ja kall trupin se?” Kësaj pyetjeje nuk po i gjen kurrsesi përgjigje tash e 4 vjet Avdi Bytyqi, për vrasjen e djalit të tij Abedinit.

    44-vjeçari Abedin Bytyqi nga Semetishti i Suharekës, u zhduk në mënyrë të mistershme gjatë tetorit të vitit 2016, e tek pas 3 muajve kërkimi, trupi i tij u gjet në një mal i groposur e i djegur.

    Lotët i shoqërojnë prindërit e Abedinit sa herë që flasin për vdekjen e të birit.

    Avdi Bytyqi i cili pohon se ka zgjedhur rrugën ligjore për të kërkuar drejtësi, ai është i zhgënjyer shumë nga ajo, raporton KTV.

    Në lidhje me këtë Gjykata Themelore e Prizrenit gjatë nëntorit të 2019 shpalli fajtorë të akuzuarit Murat Ademin dhe dënoi më 25 vite burgim, Resmije Bytycin me 20 vjet burg e Fadil Fetiu me 12 vjet burg. Por, i njëjti rast u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në qershor të 2020, pas u gjetën një mori shkeljesh të identifikuara.

    Me dënimin e Fadil Fetiut s’po pajtohet mbrojtja e tij, pasi që sipas avokatit, Fetiu i cili akuzohet për veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë, ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë pavarësisht kërcënimeve që ka pasur.

    Gjykata e Prizrenit liroi nga akuzat Reshat Ademin, vëllanë e Muratit, pasi që nuk kishte pasur prova për të.

    Në aktakuzën prej 9 faqeve të cilën e posedon KOHA, e ngritur në maj të 2019-s, thuhet se Murat e Reshat Ademi, kushërinjtë e Resmijë Bytyqit, e cila është edhe bashkëshortja e viktimës dhe Fadil Fetiu, kishin bashkëpunuar për ta privuar nga jeta Abedin Bytyqin, duke e lidhur së pari, e duke e dërguar në një vend të panjohur, më pastaj kanë filluar ta godasin me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupor, dhe më pas në mënyrë mizore dhe barbare me qëllim të shkaktimit të dhimbjeve të mëdha fizike dhe psikike viktimës, ia vënë zjarrin duke i shkaktuar dhimbje vdekjeprurëse të cilat e shkaktuan vdekjen e tij, të cilin më pas e hedhin në një gropë dhe e mbulojnë me dhe.

    Sipas kësaj aktakuze, Murat Ademi pas kryerjes së veprës penale, me qëllim të zhdukjes së provave ka gjuajtur diku tjetër telefonin dhe kuletën e viktimës.


    Rreth Nesh

    Të gjitha materialet e portalit janë të mbrojtura me të drejtat autoriale. Ato mund të kopjohen, modifikohen, dhe ripublikohen vetëm duke iu referuar burimit ScanerPress.com. Të drejtat autoriale janë të rezervuara, sipas dispozitave ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës.

    E-mail: [email protected]


    NA KONTAKTONI!

    NA TELEFONONI TEL/MOB: 044 555 555